Moderatori i njohur konfirmon se përgatitjet janë drejt fundit, ndërsa i paralajmëron fansat të mos besojnë datat e pavërteta që qarkullojnë në rrjet.
Pas një vale pyetjesh nga ndjekësit, Alaudin Hamiti ka reaguar për herë të parë mbi nisjen e sezonit të katërt të “Big Brother VIP Kosova”. Në një komunikim të drejtpërdrejtë me fansat, moderatori sqaroi se ende nuk është vendosur data zyrtare e fillimit, por konfirmoi se spektakli do të rikthehet shumë shpejt.
“Çka t’ju them më shumë, përveç se – shumë shpejt! Asnjë datë që po qarkullon nuk është zyrtare, përveç atyre që vijnë nga Big Brother ose Klan Kosova,” deklaroi Hamiti me stilin e tij karakteristik, duke ndezur edhe më shumë kureshtjen e publikut.
Burime pranë produksionit bëjnë me dije se sezoni i ri pritet të nisë gjatë muajit nëntor, një risi për formatin kosovar që tradicionalisht ka debutuar në dhjetor ose në fund të tetorit. Ky ndryshim pritet të sigurojë një rrjedhë më të gjatë dhe dinamike të spektaklit deri në pranverë.
Hamiti, i njohur për karizmën dhe energjinë e tij në ekran, mbetet një nga figurat kyçe të suksesit të “BBVK”. Ai ka ruajtur gjithmonë një marrëdhënie të ngushtë me publikun, duke i mbajtur fansat të informuar dhe të lidhur me çdo zhvillim të formatit.
Sipas raportimeve të brendshme, sezoni i katërt i “Big Brother VIP Kosova” pritet të sjellë surpriza të mëdha, fytyra të reja dhe dinamika më intensive, në një garë që synon të tejkalojë çdo pritshmëri të mëparshme.
