
Kreu i BDI-së dhe themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, në fjalën e tij në protestën për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, tha se akuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të fabrikuara nga qarqet e errëta serbo-ruse.
Ahmeti u shpreh se UÇK-ja ka qenë dhe mbetet aleate e SHBA-ve dhe e BE-së, duke shtuar se ka respektuar të gjitha ligjet e luftës.Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen në tubimet në mbështetje të luftës së UÇK-së, pasi sipas tij, ajo luftë ishte një luftë çlirimtare.“Të dashur ushtarë të lirisë, faleminderit Shqipëri, faleminderit nënë. Na ke pritur si nëna bijtë. Doja të përshëndes Alfed Moisiun, që vetë ka qenë luftëtar i lirisë. Sot jemi bashkë, Tiranë, Prishtinë e Shkup, kështu qofshim gjithmonë. Lufta jonë ishte e drejtë, ishte për pragun e shtëpisë, për miqësi me SHBA-të dhe BE-në. Zanafilla e Speciales është tek fabrikimet serbo-ruse. Kohë më pas, Dick Marty riaktivizoi mediatikisht këtë temë përsëri me porosi serbo-ruse, që bëri që të themelohet Specialja. Kjo gjykatë u themelua nga Kosova. Akt-akuza është riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Haradinajt e Fatmir Limajt. Sot ata po gjykohen si çlirimtarë, ata kapën pushkën për të mbrojtur pragun e shtëpisë nga gjenocidi serb. UÇK-ja nuk ka shkelur asnjëherë ligjet e luftës e kjo është dëshmuar deri më sot në gjitha gjykatat ndërkombëtare. UÇK-ja ka qenë e mbetet partnere e SHBA-ve dhe e BE-ve”, deklaroi Ahmeti.