Ilir Alimehmeti është një prej figurave kryesore të PD, i cili nuk e ka fshehur mendimin se Partia Demokratike duhet të ndryshojë për të fituar zgjedhjet dhe për t’u rikthyer në pushtet.
Në një intervistë për Vizion Plus, Alimehmeti shpjegon se takimi i pak ditëve më parë mes tij, Ervin Salianjit dhe disa prej kandidatëve demokratë, që pavarësisht se morën vota nuk arritën të zgjidhen deputetë, synon pikërisht skicimin e rrugës ku duhet të ecë forca më e madhe e opozitës. Sipas Alimehmetit, i cili në 11 maj fitoi 18 mijë vota, ky takim erdhi për shkak se disa prej forumeve të PD, siç është Këshilli Kombëtar, nuk është mbledhur asnjëherë pas humbjes së zgjedhjeve.
“Është një takim ndërmjet demokratësh, ndërmjet njerëzve që dëshirojnë që Partia Demokratike të fuqizohet, të forcohet, të arrijë që këtë qeveri që është e kalbur nga koka tek këmbët ta hedhë një orë e më parë dhe mbi mënyrën si shkohet aty. Duke qenë se asnjë forum i PD nuk na ka thirrur, të paktën në dijeninë time, për të diskutuar mbi këto çështje, pra mbi sfidat që kemi pasur në përballjen që kemi pasur në 11 maj, mbi ecurinë që mendohet mbrapa e me radhë; atëherë diskutuam njëri me tjetrin mbi problematikat e ndryshme, mbi mendimet e çfarë propozimesh mund të japim ne, dhe një pjesë e propozimeve do t’i dërgohen kryesisë së PD.”
Alimehmeti shpjegon se nuk kërkon asgjë më shumë se sa aplikimi i parimeve për të cilat nisi rithemelimi i PD:
“Unë kam hyrë në PD, po kemi në mënyrë strukturore në prill të vitit 2022, pikërisht për shkak se u diskutua hapja, u diskutua një rithemelim, u diskutua një meritokraci, dhe ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se kaq. Pra, në këto linja jemi afruar dhe këto kërkojmë që të ndodhin.”
Po çfarë synon kjo lëvizje? A është lëvizje kjo kundër Zotit Berisha?
“Ky është një takim mes demokratësh mbi problem që na prekin të gjithëve, nga i pari tek i fundit, problem që dikush ndoshta nuk do t’i dëgjojë. Ndoshta kjo na jep hapësirën për t’u dëgjuar, për të folur, për të komunikuar. Mendoj se përmes komunikimit konstruktiv ne mund të arrijmë shumë. PD kështu ia ka dalë, gjithmonë ka pasur regjime të forta përballë dhe ia ka dalë, ka hedhur regjime shumë më të forta se ky që po kalbet.”
