
Hetimet në Itali zbulojnë lidhjen mes krimit të organizuar dhe sulmit ndaj drejtuesit të emisionit investigativ Report, ndërsa Sinomati konsiderohet një figurë kyçe e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Një emër shqiptar del në qendër të hetimeve për atentatin me bombë që tronditi Italinë: Altin Sinomati, i arrestuar në Abu Dhabi, dyshohet si urdhëruesi i sulmit ndaj gazetarit të njohur Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ Report. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane, duke e cilësuar zhvillimin si pikë kthese në hetimet mbi lidhjet e mafies me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sinomati ishte prej kohësh në listën e kërkimit të Drejtorisë së Antimafias Rajonale për një tjetër krim mafioz, vrasjen e bashkëkombësit të tij Selavdi Shehaj, i njohur si Passerotto, në plazhin e Torvaianicas në vitin 2019. Hetimet kanë zbuluar se ai kishte porositur ekzekutimin kundrejt një pagese prej 150 mijë eurosh.
Sinomati u arrestua dhjetë ditë më parë në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një operacioni të përbashkët mes policisë italiane dhe Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar. Hetuesit italianë kanë lidhur aktivitetin e tij me atë të Giuseppe Molisso, një tjetër figurë të trafikut të drogës në Romë, i cili po ashtu është përfshirë në hetimet mbi atentatin ndaj Ranuccit.
Sipas burimeve hetimore, pista kryesore mbetet ajo e trafikut ndërkombëtar të drogës, ku përplasjet mes grupeve rivale kanë marrë përmasa mafioze, duke përfshirë edhe kërcënime ndaj gazetarëve që kanë hetuar aktivitetet e tyre.
Ngjarja e ndodhur pranë banesës së Ranuccit në Campo Ascolano, afër Pomezias dhe Torvaianicas, ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur reagime të forta në Itali, ku kërkohet mbrojtje më e madhe për gazetarët që denoncojnë lidhjet mes mafies dhe politikës.
Hetuesit italianë pritet të kërkojnë ekstradimin e Altin Sinomatit, i cili konsiderohet tashmë si një nga figurat më të rrezikshme që lidh botën e narkotrafikut me sulmet mafioze kundër medias.