
Silvio Gonzato theksoi se pas nëntë vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, është koha për të vlerësuar funksionimin e saj, por pa cënuar pavarësinë e gjyqësorit dhe me përfshirjen e të gjitha palëve politike.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në një intervistë televizive ka komentuar zhvillimet e fundit rreth reformës në drejtësi dhe marrëdhënien mes institucioneve të pavarura, Parlamentit dhe politikës. Ai tha se reforma e vitit 2016 ishte një hap historik për vendin, por shtoi se tashmë ka ardhur momenti të analizohen në mënyrë të qetë rezultatet dhe funksionimi i disa prej elementeve të saj.
“Shqipëria bëri një reformë të madhe në vitin 2016. Tani mund të jetë koha për të parë si po funksionojnë disa pjesë të saj, por pavarësia e gjyqësorit nuk mund të vihet në diskutim, sepse do të cënohej arritja më e madhe që është ndërtimi i një sistemi të pavarur drejtësie,” u shpreh Gonzato.
Ai nënvizoi rëndësinë e debatit publik dhe të përfshirjes së opozitës në çdo reformë madhore, duke theksuar se reformat nuk janë copa letre, por procese që duhet të mbështeten nga të gjitha forcat politike dhe shoqëria civile. “Kur bëhen reforma të rëndësishme, duhet të ketë debat parlamentar dhe transparencë. Vetëm kështu sigurohet që ato të kenë ndikim të vërtetë dhe të jenë të qëndrueshme,” tha ai.
Ambasadori shtoi se opozita duhet të jetë aktive dhe e gatshme të luajë rolin e saj konstruktiv, ndërsa qeveria duhet të fokusohet në informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. “Kjo ka qenë kërkesa ime e vazhdueshme për qeverinë: njerëzit duhet të informohen dhe të jenë pjesë e procesit,” theksoi Gonzato.
Duke komentuar raportin mes Parlamentit dhe institucioneve të pavarura, ai theksoi se “nuk më pëlqen termi monitorim, sepse nuk mendoj se Parlamenti duhet t’i monitorojë këto institucione. Duhet të ketë bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë midis tyre.”
Në përfundim, Gonzato përsëriti mesazhin se stabiliteti i institucioneve dhe bashkëpunimi politik janë thelbësorë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
