
Vendimi i gjykatës vjen pas hetimeve proaktive në bashkëpunim me prokurorinë, katër efektivë akuzohen për favorizime në shkelje të Kodit Rrugor
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra katër punonjës të policisë në Berat, të dyshuar për kryerjen e veprës penale shpërdorim detyre. Masat e sigurisë janë ekzekutuar pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila ka caktuar pezullimin e ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik.
Sipas njoftimit zyrtar, masat janë vendosur në bazë të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa vepra penale e dyshuar është ajo e shpërdorimit të detyrës, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Të pezulluarit janë tre inspektorë të Seksionit për Trafikun Urban dhe Interurban pranë DVP Berat, A.S., M.D. dhe A.Q., si dhe inspektori K.G., oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Berat.
Hetimet janë zhvilluar nga AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se efektivët, gjatë ushtrimit të detyrave funksionale, me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, kanë penalizuar ose favorizuar drejtues mjetesh të konstatuar në shkelje apo jo të Kodit Rrugor.
AMP thekson se hetimet vijojnë dhe se mbetet e angazhuar për garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit në strukturat e Policisë së Shtetit.
