
Miliarderi populist Andrej Babis, i njohur për qëndrimet e tij kundër Brukselit dhe për afërsinë me modelin e Trump, siguron epërsi të thellë në zgjedhjet parlamentare të Republikës Çeke, duke paralajmëruar një kthesë të fortë politike në Evropën Qendrore.
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve legjislative në Republikën Çeke kanë shënuar një fitore të madhe për Andrej Babis, ish-kryeministrin dhe miliarderin që e quan veten “trampist”. Me mbi 35.4% të votave të numëruara, Babis ka lënë pas me diferencë të ndjeshme koalicionin qeverisës të kryeministrit aktual Petr Fiala, i cili siguroi vetëm 22.7%.
Ky rezultat e rikthen në qendër të skenës politike një figurë që prej vitesh ndan mendimet e qytetarëve çekë, por që mbetet tejet popullore tek shtresat e ulëta e të mesme, të lodhura nga inflacioni dhe kriza ekonomike. Në moshën 71-vjeçare, Babis synon ta rifitojë postin e kryeministrit, të cilin e mbajti nga 2017 deri më 2021, por që e humbi pasi nuk arriti të krijonte shumicë parlamentare.
Duke u paraqitur si mbrojtësi i qytetarëve të zakonshëm, Babis ka ndërtuar një platformë populiste që premton rritje të pagave dhe pensioneve, ulje të taksave dhe të TVSH, si dhe shkurtim të rregullave mjedisore, që ai i konsideron pengesa burokratike të Brukselit.
Në të njëjtën kohë, ai ka paralajmëruar një rishikim të ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës, duke e cilësuar politikën e qeverisë aktuale si të shkëputur nga realiteti i qytetarëve çekë. Me mbi 300 mijë refugjatë ukrainas ende në vend, tema ka polarizuar opinionin publik dhe ka ushqyer retorikën e Babis kundër elitave pro-evropiane.
Në Bruksel, fitorja e tij ka ngjallur shqetësim. Kryeministri në detyrë Petr Fiala ka paralajmëruar se rikthimi i Babis mund të hapë rrugën që Republika Çeke të largohet gradualisht nga Bashkimi Evropian, jo përmes një referendumi të drejtpërdrejtë si “Brexit”-i britanik, por përmes veprimeve politike të brendshme, që e dobësojnë lidhjen e vendit me BE, ndërsa analistët e krahasojnë modelin e tij me atë të Viktor Orban në Hungari , një përzierje mes populizmit ekonomik dhe autoritarizmit pragmatik.
Megjithatë, vetë Babis ka mohuar çdo plan për të dalë nga Bashkimi Evropian apo NATO, duke thënë se dëshiron një Evropë të fortë, por pa diktatin e Brukselit.
Presidenti çek Petr Pavel, një ish-gjeneral pro-evropian dhe mbështetës i fortë i Ukrainës, mund të bëhet pengesa kryesore e Babis në krijimin e qeverisë. Ai ka paralajmëruar se nuk do t’i japë automatikisht mandatin për formimin e kabinetit, për shkak të konfliktit të interesit që përfshin perandorinë e tij ekonomike Agrofert, një konglomerat që punëson mbi 21 mijë persona dhe përfiton miliona nga fondet evropiane.
Fitimi i Babis përbën një sinjal politik për gjithë Evropën Qendrore, ku populizmi ekonomik po rifiton terren pas viteve të pasigurisë. Me retorikë të drejtpërdrejtë dhe frymë nacionaliste, ai po teston kufijtë e durimit të Brukselit; një model që ngjan me rikthimin e frymës trampiste në skenën ndërkombëtare.
Nëse arrin të krijojë shumicë, Andrej Babis mund të bëhet sfida më e re për unitetin e Bashkimit Evropian, në një moment kur kontinenti kërkon stabilitet mes luftës në Ukrainë dhe përçarjeve të brendshme.