Pas shtatë vitesh martesë, modelja shqiptare Angela Martini ka dorëzuar kërkesën për divorc në Gjykatën e Los Anxhelosit, duke shënuar fundin e një lidhjeje që dikur konsiderohej si një histori romantike që sfidonte kufijtë.
Modelja shqiptare me famë ndërkombëtare, Angela Martini, i ka dhënë fund martesës me aktorin dhe producentin rumun Drago Savulescu, pas shtatë vitesh bashkëjetese. Sipas raportimeve të portalit amerikan TMZ, Martini ka dorëzuar kërkesën për divorc në Gjykatën e Los Anxhelosit më 24 tetor, datë që shënohet edhe si dita zyrtare e ndarjes së çiftit.
Në dokumentet zyrtare, arsyeja e divorcit përshkruhet si “mospërputhje të papajtueshme”, formulim që përdoret zakonisht kur marrëdhënia ka marrë fund për shkak të diferencave të thella mes bashkëshortëve. Nga martesa e tyre ka lindur një djalë trevjeçar, Kyree Martini Savulescu, për të cilin Angela kërkon kujdestari të përbashkët ligjore dhe fizike.
Modelja ka kërkuar gjithashtu që bashkëshorti i saj t’i paguajë pension bashkëshortor, duke theksuar se martesa e tyre, e lidhur në dhjetor të vitit 2017, ka qenë një kapitull i rëndësishëm i jetës së saj personale dhe profesionale.
Ndarja ka ardhur si surprizë për publikun, pasi vetëm disa javë më parë çifti shfaqej në pushime luksoze në Evropë dhe publikonte foto të përbashkëta në rrjetet sociale. Dyshja kishin paralajmëruar madje edhe një projekt filmik të frymëzuar nga historia e tyre e dashurisë, që do të tregonte sesi marrëdhënia e tyre i kishte ndihmuar të përballonin periudhat e vështira, përfshirë edhe betejat ligjore të Savulescut me drejtësinë rumune.
Angela Martini dhe Drago Savulescu u konsideruan për vite si një nga çiftet më të komentuar në showbizin ndërkombëtar; ajo, një shqiptare që ndërtoi karrierë në Amerikë dhe ai, një figurë e njohur e kinemasë rumune. Lidhja e tyre e përshkuar nga udhëtime, luks dhe pasion shpesh u portretizua si një histori suksesi që tejkalonte kufijtë kulturorë.
Megjithatë, pas shtatë vitesh bashkëjetese mes SHBA, Zvicrës dhe Italisë, duket se martesa ka mbërritur në fundin e saj të natyrshëm. As Martini dhe as Savulescu nuk kanë reaguar publikisht për ndarjen, duke zgjedhur të ruajnë privatësinë në një moment delikat që mbyll një kapitull të gjatë dashurie e partneriteti ndërkombëtar.
