
Aktorja hollywoodiane u shfaq në premierën e filmit “Coutures”, ku interpreton një regjisore që përballet me sëmundjen dhe artin, ndërsa ekspozoi tatuazhet simbolike që i dedikon paqes dhe jetës
Angelina Jolie ka rikthyer sërish magjinë e saj në tapetin e kuq. Aktorja 50-vjeçare mahniti mbrëmjen e së shtunës, më 18 tetor, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Romë, gjatë premierës së filmit të ri “Coutures”, nën regjinë e Alice Winocour.
E veshur me një fustan të zi elegant me shpinë të hapur dhe me kapuç, Jolie tërhoqi vëmendjen e të gjithëve duke zbuluar tatuazhet e shumta që mbulojnë shpinën e saj, mes tyre një tigër i madh dhe disa mbishkrime me bekime budiste që përfaqësojnë paqen, dashurinë dhe jetën e begatë.
Në “Coutures”, Jolie luan rolin e Maxine Walker, një regjisore që udhëton drejt Parisit gjatë Javës së Modës për të xhiruar një film të shkurtër që do të hapë sfilatën e një shtëpie të madhe mode, frymëzuar nga legjendat vampirike. Pak përpara nisjes së saj, ajo zbulon se është diagnostikuar me kancer, duke u përballur me dilemat mes pasionit artistik dhe brishtësisë njerëzore. Rolin e partnerit të saj në film e mban aktori francez Louis Garrel.
Në një intervistë të mëparshme, Jolie kishte folur me emocion për lidhjen e saj personale me temën e filmit: nëna e saj, Marcheline Bertrand, humbi jetën nga kanceri, ndërsa aktorja vetë iu nënshtrua dy operacioneve parandaluese për të shmangur rrezikun e sëmundjes.
“Një person që vuan nuk është vetëm sëmundja e tij,” tha ajo mes lotësh në një konferencë në Toronto. “Ai është një njeri i plotë, që vazhdon të jetojë, të dojë dhe të ëndërrojë.”
Me këtë paraqitje në Romë, Angelina Jolie jo vetëm që dëshmoi elegancën e saj të pakrahasueshme, por edhe forcën e një gruaje që përmes artit dhe sinqeritetit vazhdon të frymëzojë botën.