
Fati i dy anijeve të tjera mbetet i panjohur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje
Një anije që transportonte qindra emigrantë Rohingya nga Myanmari është fundosur pranë kufirit detar mes Malajzisë dhe Tajlandës, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë humanitare. Autoritetet malajziane konfirmojnë se deri më tani janë gjetur 7 viktima, ndërsa 13 persona janë shpëtuar. Qindra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Sipas Agjencisë së Zbatimit Detar të Malajzisë, anija ishte nisur tre ditë më parë nga rajoni i varfër dhe i konfliktuar Rakhine, me rreth 300 persona në bord, shumica prej tyre nga komuniteti Rohingya, i cili prej vitesh përballet me dhunë etnike dhe spastrime të vazhdueshme.
Pamjet e shpërndara nga autoritetet tregojnë të mbijetuar të shtrirë në barela dhe të mbuluar me batanije, ndërsa dhjetëra anije dhe helikopterë kërkojnë në një zonë detare prej 170 miljesh katrore pranë ishullit Langkawi.
Sipas policisë malajziane, emigrantët fillimisht ishin ngarkuar në një anije të madhe, që më pas i kishte detyruar të transferoheshin në tre skafe të vegjël për të shmangur vëzhgimin nga autoritetet kufitare. Fati i dy anijeve të tjera mbetet ende i panjohur dhe kërkimet janë duke vijuar.
Përballë dhunës në Myanmar dhe kushteve gjithnjë e më të vështira në kampet e refugjatëve në Bangladesh, mijëra Rohingya rrezikojnë jetën çdo vit, duke marrë rrugët e detit me shpresën për të arritur në Malajzi ose vende të tjera të Azisë Juglindore.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), vetëm gjatë këtij viti mbi 5,100 Rohingya kanë ndërmarrë udhëtime të tilla të rrezikshme me anije, ndërsa rreth 600 persona rezultojnë të vdekur ose të zhdukur.
Tragjedia e fundit pritet të ringjallë thirrjet ndërkombëtare për zgjidhje urgjente, qoftë për dhunën e vazhdueshme në Myanmar, qoftë për kushtet çnjerëzore në kampet e refugjatëve në Bangladesh.
