
Moska vendos eskortë ushtarake për një tanker të ndjekur nga forcat amerikane, rriten frikërat për përshkallëzim të konfliktit
Tensionet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur ndjeshëm pas vendosjes së anijeve luftarake ruse për të mbrojtur një cisternë nafte që forcat amerikane dyshohet se po përgatiteshin ta ndalonin dhe kontrollonin. Incidenti ka ndodhur në ujëra ndërkombëtare dhe po shihet si një nga momentet më delikate në marrëdhëniet mes dy fuqive bërthamore.
Cisterna, e njohur më parë si Bella 1 dhe tashmë e riemërtuar Marinera, është rregjistruar nën flamurin rus pas një ndryshimi të fundit nga Guyana. Anija ka qenë nën vëzhgim që prej muajit të kaluar, kur roja bregdetare amerikane tentoi ta ndalonte në Karaibe mbi dyshime për shkelje të sanksioneve dhe transport të naftës iraniane. Operacioni dështoi pasi cisterna ndryshoi papritur kursin.
Vendosja e anijeve luftarake ruse përreth cisternës shihet si një sinjal i qartë se Moska nuk do të lejojë ndërhyrje ndaj mjeteve të saj detare. Ministria e Jashtme ruse ka deklaruar se anija po lëviz në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare detare dhe ka kërkuar nga vendet perëndimore të respektojnë parimin e lirisë së lundrimit.
Nga ana tjetër, komandat ushtarake amerikane kanë bërë të ditur se janë në gatishmëri për të mbështetur agjencitë federale në rast nevoje, duke theksuar se po monitorojnë nga afër lëvizjet e anijeve të konsideruara me interes strategjik. Kjo deklaratë ka shtuar shqetësimet për një përballje të drejtpërdrejtë në det.
Ngjarja zhvillohet në një kontekst më të gjerë tensionesh globale, ku SHBA ka shpallur masa të ashpra ndaj tankerëve që lidhen me vende nën sanksione, ndërsa Rusia e sheh këtë si presion të pajustifikuar dhe kërcënim ndaj interesave të saj.
Analistët paralajmërojnë se çdo incident i pakontrolluar në ujërat ndërkombëtare mund të ketë pasoja të rënda politike dhe ushtarake, duke e çuar situatën drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm mes dy fuqive më të mëdha ushtarake në botë.
