
William dhe Kate kryesojnë popullaritetin, ndërsa Harry dhe Meghan mbeten figurat më të refuzuara nga opinioni publik
Rezultatet e sondazhit të parë të realizuar pas vendimit të King Charles III për të hequr titujt mbretërorë të vëllait të tij, Prince Andrew, hedhin dritë mbi perceptimin aktual të britanikëve ndaj familjes mbretërore.
Sipas sondazhit më të fundit të YouGov, çifti princëror Prince William dhe Kate Middleton vazhdojnë të jenë figurat më të pëlqyera, me rreth tre të katërtat e britanikëve që shprehen pozitivisht për ta. Popullaritet i lartë dhe i qëndrueshëm vihet re edhe për Princeshën Anne, me rreth 70 % të publikut që ka një opinion të mirë për të.
Vetë Mbreti Charles III mbetet gjerësisht i pëlqyer, me rreth 60% të britanikëve që kanë një mendim pozitiv për të, përqindje e ngjashme me nivelet e mbështetjes që ai ka pasur gjatë vitit 2025. Megjithatë, sondazhi tregon se ndonëse publiku e ka konsideruar të drejtë vendimin e tij ndaj Andrew, shumë qytetarë mendojnë se ai ka vepruar me vonesë.
Vlerësime kryesisht pozitive shënohen edhe për Dukën dhe Dukeshën e Edinburgut, Prince Edward dhe Sophie Duchess of Edinburgh, me rreth gjysmën e britanikëve që shprehen në favor të tyre, ndërsa përqindja e opinioneve negative mbetet relativisht e ulët.
Ndryshe paraqitet situata për Mbretëreshën Camilla, e cila ka pësuar një rënie të lehtë të popullaritetit. Vetëm 42 për qind e britanikëve kanë një opinion pozitiv për të, niveli më i ulët i regjistruar nga YouGov që prej vitit 2021, ndërsa vlerësimet negative kanë arritur në 45 për qind.
Figura më pak të pëlqyera mbeten Meghan Markle dhe Prince Harry. Vetëm 19% e britanikëve shprehen pozitivisht për Meghan Markle, ndërsa 66 % kanë një opinion negativ. Edhe për Princin Harry, perceptimi mbetet kryesisht negativ, me rreth 31 % mendim pozitiv kundrejt 60 % negativ.
Sondazhi tregon se pavarësisht polemikave të fundit dhe vendimeve të forta të Mbretit Charles, familja mbretërore britanike vazhdon të gëzojë mbështetje të konsiderueshme publike, veçanërisht për anëtarët aktivë dhe të përfshirë drejtpërdrejt në detyrat zyrtare.
