
Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të mbajë në qeli Sabah Nuzin, i akuzuar për ekzekutimin e Klevis Lleshit në vitin 2020, vrasje që dyshohet se u krye me porosi të Aurel Hoxhës. Ngjarja është hallka më e fundit në një zinxhir hakmarrjesh që ka përfshirë për dekada dy familje nga Burreli.
Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Sabah Nuzin, të akuzuar si ekzekutori i Klevis Lleshit, një krim që, sipas hetimeve të SPAK, u krye me porosi të Aurel Hoxhës.
Hetimet kanë zbuluar se Lleshi u vra më 5 gusht 2020, ndërsa trupi i tij u gjet i groposur dy vite më vonë. Autoritetet dyshojnë se vrasja ishte pjesë e një zinxhiri gjakmarrjeje të gjatë mes familjeve Hoxha dhe Lleshi, një konflikt që ka lënë pas disa viktima në të dyja anët dhe që ka nisur më shumë se një dekadë më parë.
Përplasja mes dy fiseve u ndez pas vrasjes së Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe. Ai u gjet i djegur brenda makinës së tij, ndërsa hetimet britanike çuan në arrestimin e Arben dhe Afrim Lleshit. Arben Lleshi pranoi përfundimisht krimin dhe u dënua me 32 vite burg, pjesërisht të cilat po i vuan në Shqipëri pas ekstradimit në vitin 2016.
Por ndonëse drejtësia kishte folur, gjakmarrja nuk u ndal. Familja Hoxha nisi hakmarrjet njëra pas tjetrës: në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevisit, më pas në 2016 u ekzekutua Hajredin Lleshi, ndërsa në 2017 u zhduk në mënyrë misterioze Artan Lleshi, djali i Hajredinit, i cili nuk është gjetur as sot.
Në dhjetor të vitit 2023, zinxhiri i dhunës mori edhe një kthesë të errët brenda burgut të Peqinit, ku Arben Lleshi, autori i parë i serisë së ngjarjeve, u vra brenda qelisë së tij nga persona që dyshohet se vepronin në emër të familjes Hoxha.
Vendimi i sotëm i Apelit për të lënë në qeli Sabah Nuzin shihet si një përpjekje për të ndalur spiralen e gjakmarrjes që ka përfshirë për vite me radhë dy familje të njohura të zonës së Burrelit. Megjithatë, burime nga grupi hetimor thonë se hetimet për porositësit dhe bashkëpunëtorët e tjerë të ngjarjes vijojnë, pasi dyshohet se pas këtij konflikti qëndron një rrjet i gjerë i përfshirë në krime të rënda dhe aktivitete jashtë vendit.