
Gjykata refuzon kërkesën për heqjen e sekuestros në dosjen Partizani, pasuritë e dyshuara me burim të pajustifikuar mbeten të bllokuara
Apeli i Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Argita Berishës dhe Jamarbër Malltezi për heqjen e sekuestros mbi pasuritë e bllokuara nga SPAK. Vendimi është marrë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, duke lënë në fuqi masën e sigurisë pasurore.
Pasuritë në fjalë janë sekuestruar në kuadër të hetimeve për aferën Partizani, ku autoritetet dyshojnë se një pjesë e konsiderueshme e tyre rrjedhin nga burime të pajustifikuara. Kërkesa e paraqitur në Apelin e GJKKO-së synonte heqjen e sekuestros, por gjykata e konsideroi të pabazuar.
Jamarbër Malltezi ndodhet nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash në dosjen Partizani dhe po gjykohet së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe disa persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Sipas vendimit të Apelit, të gjitha pasuritë e sekuestruara do të vijojnë të mbeten nën administrimin e shtetit deri në përfundim të procesit gjyqësor. Lista e pasurive përfshin shuma të konsiderueshme monetare në euro, lekë dhe dollarë amerikanë, dhjetëra apartamente, bodrume, njësi tregtare, truall, vila, si edhe kuota të rëndësishme aksionesh në disa shoqëri tregtare.
Në total, bëhet fjalë për mbi 20 pasuri të paluajtshme, disa prej tyre me sipërfaqe shumë të mëdha në zona të ndryshme të Tiranës, si edhe për përqindje kontrolluese në kompani private, të cilat SPAK dyshon se janë përfituar përmes veprimeve të paligjshme.
Vendimi i Apelit të GJKKO-së konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në dosjen Partizani, duke forcuar qëndrimin e prokurorisë se sekuestrimi i pasurive është i domosdoshëm për garantimin e procesit dhe për parandalimin e fshehjes apo tjetërsimit të aseteve nën hetim.
