Ish-presidenti kërkon të dalë nga burgu, ndërsa në të njëjtën ditë pritet të zhvillohet edhe seanca paraprake ndaj tij.
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur datën 11 nëntor për shqyrtimin e kërkesës së Ilir Metës, i cili kërkon ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg”. Kërkesa e kreut të Partisë së Lirisë vjen në kushtet kur ai ndodhet nën hetim për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Në të njëjtën ditë është parashikuar edhe seanca paraprake për çështjen, ku pritet të vendoset nëse dosja do të kalojë për gjykim të plotë.
Përveç Metës, nën hetim ndodhen edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si dhe tre të pandehur të tjerë, të cilët akuzohen si pjesë e të njëjtit skemë financiare.
Gjykata e Posaçme ka lënë të pandryshuar deri tani masën e sigurisë për Metën, ndërsa seanca e 11 nëntorit pritet të jetë përcaktuese për kërkesën e ish-presidentit për të lënë qelinë.
