
Gati 12 mijë fëmijë u vranë ose u plagosën vitin e kaluar, ndërsa Gaza mbetet zona më vdekjeprurëse për të miturit
Organizata Save the Children ka publikuar një raport tronditës, ku theksohet se gjatë vitit të kaluar pothuajse 12 mijë fëmijë janë vrarë ose plagosur në konfliktet e armatosura nëpër botë. Rreth 70 për qind e këtyre rasteve lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e armëve shpërthyese, një nivel rekord që nga viti 2006, kur nisën regjistrimet. Shifrat përfaqësojnë një rritje prej 42 për qind krahasuar me vitin 2020.
Raporti tregon se zhvendosja e konflikteve në zona urbane ka bërë që bombat, raketat dhe dronët të godasin pikërisht vendet ku fëmijët duhet të jenë më të sigurt: shtëpi, shkolla dhe spitale. Sipas Narmina Strishenets, këshilltare për konfliktet dhe emergjencat humanitare në Save the Children UK, fëmijët po paguajnë çmimin më të lartë të luftërave moderne.
Në Gaza, konflikti i viteve të fundit ka rezultuar veçanërisht shkatërrimtar. Që prej tetorit 2023, mbi 20 mijë fëmijë janë vrarë në sulmet izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, ndërsa UNICEF llogarit më shumë se 64 mijë fëmijë të vrarë ose të plagosur. Spitalet janë shkatërruar, shkollat janë bombarduar dhe sistemi shëndetësor pothuajse ka kolapsuar. Raporti vëren se Gaza ka sot numrin më të madh të fëmijëve me amputime në historinë moderne.
Edhe pas shpalljes së armëpushimit më 10 tetor, sulmet izraelite kanë vazhduar, duke vrarë dhjetëra fëmijë. Mesatarisht, gjatë vitit 2024, rreth 475 fëmijë në muaj kanë mbetur me dëmtime të rënda për shkak të shpërthimeve, përfshirë amputime, djegie, fraktura të ndërlikuara dhe dëmtime të dëgjimit.
Situata është e rëndë edhe në Sudan, ku rreth 10 milionë fëmijë jetojnë pranë zonave aktive të luftimeve. Në vitin 2024, numri i fëmijëve të vrarë ose të plagosur nga shpërthimet arriti në 1,739, një rritje gati 40 për qind në vetëm një vit.
Në Ukrainë, fëmijët janë gjithashtu mes viktimave kryesore të konfliktit të zgjatur. Numri i të miturve të plagosur rëndë u rrit me 70 për qind në vitin 2024, nga 339 raste në 2023 në 577 një vit më vonë.
Ekspertët mjekësorë paralajmërojnë se trupat dhe organet ende në zhvillim të fëmijëve i bëjnë ata shumë më të brishtë ndaj shpërthimeve. Trajtimi i plagëve është kompleks dhe kërkon teknika të specializuara, sidomos në rastet e amputimeve dhe djegieve të rënda.
Save the Children paralajmëron se ndikimi i armëve shpërthyese nuk përfundon me pushimin e bombardimeve. Mbetjet e luftës, si minat dhe municionet e pashpërthyera, vazhdojnë të rrezikojnë fëmijët për vite të tëra, ndërsa traumat psikologjike mund të shoqërojnë komunitetet e prekura për një jetë të tërë.
