

Nga arratia, ish-zëvendëskryeministri përmend presione, kërcënime dhe akuzon se në projektin e Llogarasë mungojnë 82 milionë euro
Arben Ahmetaj ka deklaruar se është përballur me kërcënime serioze pas denoncimeve të tij publike, duke nënvizuar se ngjarjet kanë ndodhur në muajin tetor. Në një intervistë telefonike në “Çim Peka Live”, ish-zëvendëskryeministri tha se u ka kërkuar institucioneve ndërkombëtare të verifikojnë tri numra telefoni që, sipas tij, lidhen me këto kërcënime. Ai nuk dha detaje mbi përmbajtjen apo burimin e telefonatave, duke premtuar se do t’i zbulojë më vonë, për të mos devijuar vëmendjen nga thelbi.
I pyetur drejtpërdrejt nëse këto kërcënime lidhen me hetimet e SPAK, sidomos pas marrjes të pandehur të Belinda Ballukut për aferën e tunelit të Llogarasë, Ahmetaj u përgjigj shkurt: “E vërteta është që po”.
Pas kësaj, ai u fokusua te çështja e tunelit të Llogarasë, duke e cilësuar projektin si abuzimin më të rëndë financiar të viteve të fundit. Sipas tij, vetëm nga diferenca mes kostos reale dhe pagesës së shtetit janë zhdukur 50 milionë euro, të cilat ai i quajti fitim i pamerituar për sekserët. Ai shtoi se në projekt mungojnë dy ura, me vlerë totale rreth 32 milionë euro, duke e çuar humbjen totale në 82 milionë euro.
“Le të lënë pllakat e banjës dhe familjen time,” tha Ahmetaj, duke iu referuar akuzave të SPAK dhe të hetojnë ku kanë shkuar këto para. Dy ura mungojnë. Kush i zhduku? Kush i mori këto 82 milionë euro?
Gjatë intervistës, Ai sulmoi ashpër mënyrën se si SPAK po zhvillon hetimet, duke e krahasuar me gjyqe politike të së kaluarës. “Në vend të drejtësisë kemi statistikë. Prova zero, vendime siç duan ata. Gjyq publik për të krijuar armiq,” u shpreh ai.
Ahmetaj theksoi se denoncimet e tij nuk janë të reja dhe se prej kohësh ka ngritur pyetje mbi fondet publike, ndërsa tashmë pret që hetimet të përqendrohen te rrjedhja e parave të vërteta, duke përmendur sërish dyshimet për zhdukjen e 82 milionë eurove në tunelin e Llogarasë.
Deklaratat e tij pritet të ndezin sërish debatin politik, ndërsa çështja e Llogarasë mbetet një nga hetimet më të ndjeshme të SPAK dhe të një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të qeverisë.
