Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, theksoi para Komisionit të Ekonomisë se bashkëpunimi mes KLSH dhe institucioneve të drejtësisë është në nivelin më të lartë, duke përmendur veçanërisht rolin e SPAK në forcimin e ligjshmërisë.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor të KLSH-, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, u ndal edhe te bashkëpunimi me organet e drejtësisë, duke e cilësuar si një nga pikat më të forta të punës institucionale. Ai tha se marrëdhëniet me organet hetimore dhe gjyqësore janë të konsoliduara, si në nivel profesional, ashtu edhe në respekt të plotë të ligjit.
Sipas Shehut, Prokuroria e Posaçme ka luajtur një rol të rëndësishëm në garantimin e ligjshmërisë dhe në ndjekjen e çështjeve të referuara nga KLSH.
“Marrëdhëniet mes KLSH dhe institucioneve të drejtësisë janë në nivel maksimal, jo vetëm për shkak të detyrimeve ligjore, por edhe falë vullnetit të drejtuesve për ta trajtuar me seriozitet dhe profesionalizëm çdo rast,” deklaroi Shehu.
Ai vuri theksin në bashkëpunimin me SPAK, duke e përshkruar si “garant të plotë të zbatimit të ligjit” dhe një partner kyç në luftën kundër abuzimeve me fondet publike.
“Vlerësoj në mënyrë të veçantë seriozitetin e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka treguar përkushtim në ndjekjen e çështjeve që burojnë nga auditimet tona,” tha Shehu, duke shtuar se bashkëpunimi i ngushtë me drejtësinë është thelbësor për transparencën dhe llogaridhënien publike.
