
Çifti kërkon kthimin e pronave dhe llogarive bankare të sekuestruara me urdhër të SPAK në vitin 2023, ndërsa dosja vijon të jetë në shqyrtim nga gjykata e posaçme.
Argita dhe Jamarbër Malltezi, vajza dhe dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, kanë paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Posaçme për heqjen e masës së sekuestros mbi pasuritë e tyre, të vendosur në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.
Kërkesa, me objekt “kthimin e sendeve të sekuestruara”, do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloi.
Masa e sekuestros preventive ishte vendosur në vitin 2023, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), mbi 25 pasuri të paluajtshme dhe disa llogari bankare në pronësi të Jamarbër dhe Argita Malltezit. Sipas dokumenteve hetimore, këto pasuri dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Hetimet ndaj familjes Malltezi janë pjesë e një dosjeje të gjerë që lidhet me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim të detyrës gjatë periudhës kur ish-kryeministri Berisha drejtonte qeverinë. SPAK ka argumentuar se pasuritë duhet të qëndrojnë nën sekuestro deri në përfundim të procesit gjyqësor, ndërsa mbrojtja kërkon rikthimin e tyre me pretendimin se janë përfituar në mënyrë të ligjshme dhe nuk ekziston asnjë provë që të justifikojë bllokimin.
Gjykata pritet të vendosë në javët në vijim nëse do të pranojë apo rrëzojë kërkesën e Argita dhe Jamarbër Malltezit për lirimin e pasurive nga sekuestro.