

Krimi makabër i lidhur me bandat e drogës trondit Argjentinën dhe ndez protesta kundër dhunës e mosveprimit shtetëror
Mijëra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit argjentinas këtë fundjavë për të kërkuar drejtësi, pas një krimi tronditës, ku dy gra të reja dhe një adoleshente 15-vjeçare u torturuan dhe u vranë brutalisht nga një bandë droge, në një akt që u transmetua drejtpërdrejt në Instagram.
Viktimat, Morena Verdi dhe Brenda del Castillo (20 vjeçe, kushërira), si dhe Lara Gutierrez (15 vjeçe), u gjetën të groposura në oborrin e një shtëpie në periferi të Buenos Airesit, pesë ditë pasi u raportuan të zhdukura. Hetuesit thanë se vajzat u mashtruan duke menduar se po shkonin në një festë, por në fakt u rrëmbyen nga një bandë që donte t’i ndëshkonte për shkeljen e rregullave të saj.
Pamjet e transmetuara, që sipas autoriteteve u ndoqën nga 45 persona përmes një llogarie private, treguan momentet e torturës së rëndë, ku autorët kërcënonin publikisht se kjo ishte hakmarrja ndaj atyre që guxojnë të vjedhin drogë. Media lokale raportoi detaje makabre të krimit, duke e cilësuar ngjarjen si një “narko-femicid”.
Protestuesit marshuan drejt parlamentit argjentinas me pankarta ku lexohej: “Lara, Brenda, Morena” dhe slogane si “Jeta jonë nuk është e konsumueshme”. Në turmë pati edhe përplasje me policinë, ndërsa u dogjën imazhe të presidentit Javier Milei, i akuzuar nga demonstruesit për mungesë veprimi kundër rritjes së ndikimit të bandave të drogës.
Familjarët e viktimave, mes tyre babai i Brendës dhe gjyshi i kushërirave, kërkuan drejtësi të menjëhershme, duke i quajtur autorët të pangopur me gjak dhe duke theksuar se as ndaj një kafshe nuk do të bëhej një gjë e tillë.
Autoritetet kanë arrestuar pesë persona të dyshuar, ndër ta tre burra dhe dy gra, ndërsa një 20-vjeçar peruan, i identifikuar si organizatori i masakrës, vijon të jetë në arrati.