
Këngëtarja shpjegon se si ndryshimet në stil dhe pamje janë pjesë e rrëfimit artistik të personazhit Glinda.
Ariana Grande ka treguar se transformimi i saj i fundit në pamje nuk është thjesht estetik, por i lidhur ngushtë me rolin që interpreton në filmin muzikor “Wicked: For Good”. Ylli amerikan luan Glindën, personazhin e njohur si “e mira”, por këtë herë historia përqafon tone më të thella dhe më emocionale, diçka që Grande ka dashur ta pasqyrojë edhe përmes mënyrës se si paraqitet në publik.
Gjatë një interviste për Entertainment Tonight gjatë turit promocional, ajo u shpreh se që në fillim ka dashur të tregojë rrugëtimin e personazhit përmes veshjes dhe stilit. “Në turin e parë, doja të përfaqësoja Glindën në mënyrën më të drejtpërdrejtë, plot dritë dhe shkëlqim,” tha ajo. “Ndërsa tani, në këtë fazë, mund të shfaqem si aktorja që e luajti atë dhe të pasqyroj ngjyrimet më të errëta të filmit.”
Ndryshimi më i dukshëm ka qenë kthimi i saj nga flokët bionde në ngjyrë kafe, një largim i qëllimshëm nga imazhi i ëmbël dhe i ndritshëm i Glindës.
Regjisori i filmit, Jon M. Chu, ka zbuluar se Ariana i është dorëzuar plotësisht rolit edhe pse gjatë xhirimeve po kalonte një periudhë të vështirë personale, për shkak të divorci nga Dalton Gomez. Ai theksoi se e ka parë atë të kanalizonte dhimbjen dhe emocionet reale për të dhënë një interpretim të ndjerë dhe të sinqertë: “Ajo nuk fshehu asgjë para kamerës.”
Pas përfundimit të “Wicked”, Ariana Grande pritet të kthehet në projekte të tjera filmike dhe muzikore. Ajo do të shfaqet në komedinë “Focker-In-Law” me aktorin Ben Stiller dhe më pas do të nisë turneun botëror “Eternal Sunshine” verën e vitit 2026.
