
Mes tyre zv/shefi i Policisë së Durrësit, efektivë, kryeinfermieri dhe specialiste informacioni, akuzohen për shpërdorim detyre
Ditën e sotme, tetë zyrtarë të arrestuar në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit do të dalin para Gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masat e sigurisë të caktuara ndaj tyre.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në listën e të arrestuarve përfshihen zëvendësshefi i Policisë së Durrësit, pesë efektivë policie që shoqëronin Altin Ndocin gjatë qëndrimit të tij në Spitalin e Durrësit, specialistja e informacionit, si dhe kryeinfermieri i institucionit shëndetësor.
Të gjithë zyrtarët akuzohen për veprën penale shpërdorim detyre, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për mënyrën se si u mundësua largimi i Ndocit nga spitali, ngjarje që ka ngritur dyshime serioze për shkelje të rënda procedurale dhe bashkëpunim institucional.
Një ditë më parë, në pranga janë vënë edhe ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, si dhe mjekja Ylfete Sema. Për të dy rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërsa për mjekën Sema gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e arratisjes së Altin Ndocit dhe për të identifikuar çdo person tjetër që mund të ketë qenë i përfshirë në këtë ngjarje, e cila ka vënë në pikëpyetje funksionimin dhe përgjegjësinë e disa institucioneve shtetërore.
