Të tjera detaje janë bërë publike nga arratisja e Altin Ndocit nga spitali i Durrës mesditën e të martës (13 janar). Sipas gazetares Xhensila Kodra, Policia e Durrësit është njoftuar për arratisjen menjëherë sapo Ndoci është larguar, duke e vënë në lëvizje për gjurmimin e tij.
Ndërkohë, për shoqërimin e Ndocit drejt spitalit, pas verifikimit të plotë, rezulton se policia nuk është njoftuar në asnjë formë kontakti nga Burgjet.
Po dje, Burgu i Durrësit i ka kërkuar policisë për shoqërimin e një tjetër të dënuar për rast fatkeqësie, për varrimin e një familjari dhe policia ka kryer shoqërimin e tij.
Itinerari
Blutë kanë zbardhur itinerarin fillestar të lëvizjes së Ndocit përmes pamjeve të kamerave të sigurisë. 38-vjeçari pasi ka dalë nga spitali, me makinën “Audi A7” ka kaluar nëpër rrugët e Spitallës, më pas shfaqet në Shënavlash, në vijim në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë.
Nga verifikimi që është bërë në spital, Ndoci ka marrë mjekimin dhe pas përfundimit të procedurave mjekësore, ka ndërmarrë aktin e arratisjes.
Tetë të arrestuar
Tetë persona u vunë në pranga në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit një ditë më parë (13 janar) nga spitali i Durrësit, mes tyre është edhe një efektiv i policisë së Burgjeve, shtetasi Fatjon Baçi. Ky i fundit është i pandehur nga SPAK pasi i dha telefonin celular Erion Veliajt për të komunikuar me familjarët e tij gjatë kohës kur ai transportohej nga burgu për në ambientet e GJKKO.
Po ashtu në pranga u vunë edhe Aulon Çuko Kryeinfermieri, Desdemon Pazaj, zëvendës shefi i policisë se burgjeve, si dhe Pesë policët e shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela dhe Violeta Uka.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit.
Ai dyshohet se ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka shfrytëzuar rastin për t’u arratisur. Mësohet se Ndoci ka goditur edhe një efektiv dhe me pas është larguar me vrap. Me pas ai ka hipur ne një automjet “Audi” dhe është larguar.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Altin Ndoci po gjykohet për një sërë veprash penale të rënda dhe në dosje të ndryshme. Së fundmi, ai u dërgua për gjykim nga SPAK në tetor 2025, si pjesë e organizatës kriminale për të cilën akuzohen vëllezërit Çopja.
I arrestuar prej vitit 2020, Ndoci është identifikuar nga të penduar të drejtësisë si pjesëmarrës në disa atentate në luftën mes grupeve kriminale në vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i sqaroi rrethanat e arratisjes. Ajo bëri me dije se Ndoci ishte shoqëruar në spital nga strukturat e burgjeve dhe se arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve. “Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit”, thuhet në njoftimin e DPB.
