Media zviceriane Neue Zuercher Zeitung raporton se këngëtarja shqiptare Eva Ndoja është arrestuar në prill 2024 gjatë një paraqitjeje në klubin e natës në Brüttisellen, Cyrih, nën dyshim se po punonte pa leje. Ngjarja ndodhi gjatë një feste për Bajramin, ndërsa Ndoja pretendon se ishte thjesht mysafire dhe nuk kishte marrë asnjë pagesë.
Autoritetet zvicerane zhvilluan një aksion të gjerë ku u kontrolluan 13 klube dhe u arrestuan përkohësisht 47 persona, duke përfshirë disa muzikantë, ndërsa disa lokale u gjetën me armë dhe municion. Hetimi nxori në pah përdorimin e artisteve si “karrem” për të tërhequr mysafirë në disa klube të Ballkanit në Zvicër.
Në gjyq, Ndoja paraqiti dëshmitare që mbështetën pafajësinë e saj. Gjykata e shpalli këngëtaren të pafajshme, duke konfirmuar se nuk kishte ushtruar asnjë aktivitet fitimprurës. Ajo mori gjithashtu një kompensim prej rreth 6,000 frangash dhe u largua nga Zvicra, duke mos u kthyer më në vendin e ngjarjes.
