
Akuzat për korrupsion në institucionet e Brukselit shfrytëzohen nga Hungaria dhe Moska për të goditur besueshmërinë e Bashkimit Europian
Arrestimi i Federica Mogherinit dhe Stefano Sanninos në kuadër të hetimeve belge për korrupsion dhe parregullsi në tenderë ka hapur një stuhi politike që po trondit Brukselin. Forcat hetimore belge kanë bastisur ambientet e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm dhe të Kolegjit të Europës, duke sekuestruar dokumente dhe duke kryer kontrolle të imëta mbi dyshimet për përdorim të privilegjuar të procedurave të prokurimit.
Këto lëvizje të paprecedenta janë shndërruar menjëherë në armë politike për kundërshtarët e BE. Në Hungari, zëdhënësi i kryeministrit Viktor Orban, Zoltan Kovacs, ka kritikuar ashpër Brukselin, duke e përshkruar situatën si një tjetër skandal që tallet me parimet e shtetit të së drejtës, të cilat vetë BE pretendon t’i mbrojë. Kovacs akuzoi institucionet europiane se po shndërrohen në një kronikë policore, ndërsa i kërkojnë llogari vendeve anëtare.
Retorika e Budapestit është afruar dukshëm me narrativën ruse. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Moskës, Maria Zakharova, e ka përdorur të njëjtën linjë argumentimi, duke sulmuar BE për moralizëm të tepruar dhe standarde të dyfishta. Sipas saj, ngjarjet që përfshijnë Mogherinin dhe figurat e tjera të njohura tregojnë se Brukseli nuk është imun ndaj praktikave abuzive që kritikon tek të tjerët.
Ngritja e këtyre akuzave po ndodh në një moment të tensionuar mes institucioneve europiane dhe qeverisë së Orbanit, e cila prej vitesh përplaset me Brukselin për çështje të sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe fondeve europiane.
Hetimet belgë pritet të zgjerohen dhe mund të ndikojnë edhe më shumë në balancat e brishta politike brenda BE-së, në një kohë kur blloku po përpiqet të ruajë unitetin përballë krizave të njëpasnjëshme.
