
Nga shantazhi me armë ndaj një qytetari kosovar te rrjeti i lojërave të paligjshme, AMP dhe Prokuroria e Elbasanit godasin grupin e përfshirë
Arrestimi i oficerit të policisë Edison Pema në Elbasan ka hapur një dosje të gjerë hetimore, e cila ka çuar në zbulimin e një rrjeti punonjësish policie të përfshirë në organizimin dhe favorizimin e basteve sportive dhe llotarive të paligjshme.
Edison Pema u arrestua në qershor të vitit 2025, pasi nga hetimet rezultoi se kishte shantazhuar një qytetar nga Kosova, me inicialet E.S., duke i kërkuar 10 mijë euro. Sipas dosjes penale, gjatë një takimi mes tyre, Pema e kishte kërcënuar qytetarin duke vendosur armën e shërbimit në brez dhe duke i kërkuar pagesën nën kërcënimin e dhunës.
Aktualisht, Pema ndodhet në burg, ndërsa nga analizimi i telefonit të tij dhe përgjimet e kryera nga autoritetet, ka dalë në dritë një tjetër procedim penal. Në këtë dosje rezultojnë të përfshirë pesë punonjës policie dhe një qytetar civil, të dyshuar për aktivitet kriminal në fushën e lojërave të fatit dhe shpërdorim detyre.
Sipas hetimeve, punonjësit e policisë dyshohet se kanë bashkëpunuar mes tyre për organizimin e basteve sportive dhe llotarive të palejuara, duke shfrytëzuar funksionet shtetërore që ushtronin. Në kuadër të operacionit të koduar “Last Bet”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, ka ekzekutuar masa sigurie ndaj gjashtë punonjësve të policisë dhe një shtetasi civil.
Masë sigurie arrest në shtëpi është vendosur për nënkomisar Redon Tafilaku, inspektor Enea Kapllani dhe qytetarin Ilir Tafa. Ndërkohë, masa ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe detyrim për t’u paraqitur janë caktuar për komisar Denis Sinani, nënkomisar Aldi Molla, inspektor Gëzim Beqiraj dhe një efektiv të njësisë speciale RENEA.
Gjatë veprimeve proceduriale janë sekuestruar edhe shtatë telefona celularë, të cilët dyshohet se janë përdorur për koordinimin e aktivitetit të paligjshëm. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e secilit person të përfshirë dhe për të dokumentuar të gjitha veprat penale të kryera.
