
Operacioni Rent house 2 çon në pranga dy gra kineze dhe një 37-vjeçar shqiptar, ndërsa policia sekuestron para dhe pajisje telefonike
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar Rent house 2, duke goditur një rast tjetër të ushtrimit të prostitucionit në qytet. Në pranga kanë rënë dy shtetase kineze, Sh. J., 34 vjeçe, dhe Y. P., 46 vjeçe, të cilat kishin marrë një apartament me qira në lagjen Parrucë dhe e kishin përshtatur për veprimtari të paligjshme.
Gjatë operacionit është arrestuar edhe një 37-vjeçar shqiptar, E. K., i dyshuar si i përfshirë në këtë aktivitet. Në apartament policia sekuestroi një shumë parash të dyshuar të përfituar nga prostitucioni, si dhe pesë aparate celularë.
Sipas njoftimit zyrtar, veprimi u ndërmor nga sektori i narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Shkodrës dhe strukturat e mbështetjes operacionale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës vijon hetimi për të dokumentuar plotësisht rastin dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
