Operacioni i policisë franceze çoi në pranga katër shtetas shqiptarë të moshës 18 deri në 53 vjeç, të cilët akuzohen për organizim dhe shpërndarje të heroinës në zonën Côte Perrière.
Policia franceze ka arrestuar katër shtetas shqiptarë pas një operacioni të suksesshëm kundër trafikut të drogës në qytetin francez të Annecy. Hetimet kishin nisur pas sinjalizimeve për një pikë shpërndarjeje heroine në lagjen Côte Perrière, që përdorej prej kohësh si bazë e aktivitetit kriminal.
Pas disa javësh ndjekje dhe vëzhgimi, oficerët e antidrogës identifikuan një prej trafikantëve, të cilin e ndoqën deri në banesën e tij. Ai u arrestua gjatë një transaksioni të drejtpërdrejtë në Passage de l’Isle, ku u kap në momentin që po i dorëzonte një klienti dy doza heroine në vlerën e 70 eurove.
Menjëherë pas arrestimit të tij, policia vendosi nën mbikëqyrje banesën ku u pikasën edhe dy persona të tjerë që po përpiqeshin të largoheshin nga vendngjarja. Të dy u ndaluan dhe u arrestuan, ndërsa gjatë kontrollit të shtëpisë hetuesit gjetën 1.5 kilogramë heroinë, të ndarë në blloqe dhe qese të gatshme për shitje, si dhe 7,600 euro në para të gatshme. Po ashtu, u sekuestruan materiale paketimi dhe telefona të përdorur për komunikim me rrjetin e shpërndarjes.
Katër shqiptarët, të moshave nga 18 deri në 53 vjeç, ndodhen aktualisht në paraburgim dhe pritet të dalin përpara gjykatës për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Autoritetet franceze po bashkëpunojnë me policinë shqiptare për të verifikuar nëse të arrestuarit kanë lidhje me rrjete të tjera ndërkombëtare të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore.
