Hetimet për grabitjen që tronditi Parisin po zgjerojnë rrethin e të dyshuarve, ndërsa policia franceze ndjek gjurmët e bandës që u arratis me bizhuteri me vlerë 88 milionë euro.
Autoritetet franceze kanë kryer pesë arrestime të reja në kuadër të hetimeve për grabitjen spektakolare në Muzeun e Luvrit, ngjarje që tronditi opinionin publik më 19 tetor. Radiostacioni francez RTL raporton se të arrestuarit dyshohet se kanë pasur rol aktiv në organizimin ose ndihmën për arratisjen e hajdutëve, megjithatë identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
Dy persona të tjerë, të ndaluar fundjavën e kaluar, ndodhen aktualisht në paraburgim dhe kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre në grabitje. Ngjarja ndodhi në Galerinë Apollo të Luvrit dhe zgjati vetëm shtatë minuta, kohë gjatë së cilës autorët u arratisën me bizhuteri me një vlerë të jashtëzakonshme prej 88 milionë eurosh (rreth 102 milionë dollarë).
Në këtë galeri ndodhen disa nga Xhevahiret e Kurorës Franceze, pjesë e trashëgimisë historike të vendit. Pas ngjarjes, mbi 100 hetues u angazhuan për zbardhjen e plotë të rastit.
Policia ka gjurmuar gjashtë persona të mundshëm përmes analizës së më shumë se 150 mostrave të ADN dhe objekteve të lëna në vendngjarje, përfshirë doreza, helmetë dhe xhaketa me dukshmëri të lartë. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet franceze po përpiqen të zbulojnë nëse pas kësaj grabitjeje qëndron një rrjet ndërkombëtar.
