
Operacioni “SHADOW” çon në pranga Klemjan Perndreun, policia gjen lëndë narkotike të gatshme për shitje
Një 32-vjeçar nga fshati Kapedan në Vaun e Dejës ka rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se shiste kanabis brenda lokalit të tij. Klemjan Perndreu u arrestua gjatë operacionit të koduar “SHADOW”, të finalizuar nga Komisariati i Policisë Vau i Dejës në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.
Gjatë kontrollit në lokal dhe në një ambient ngjitur, policia gjeti dhe sekuestroi sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis të ndarë në doza, që sipas hetimeve paraprake ishte për shitje te klientët. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe përshtatjes së lokalit për përdorim droge.
Hetimet vijojnë për identifikimin e mundshëm të bashkëpunëtorëve dhe rrjetit të shpërndarjes.
