
Operacioni Kryqëzimi çon në pranga një grua në Rrëshen, arma u gjet gjatë kontrollit të automjetit
Policia ka arrestuar një 35-vjeçare në Mirditë, e cila u kap duke qarkulluar me automjet ndërsa mbante armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Operacioni u finalizua pas informacioneve të siguruara më herët nga strukturat policore se shtetasja lëvizte e armatosur.
Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, e arrestuara është shtetasja Jetmira Biba , 35 vjeçe, banuese në Rrëshen. Ajo u ndalua në afërsi të kryqëzimit të Kthellës, në hyrje të qytetit, gjatë operacionit policor të koduar Kryqëzimi.
Gjatë kontrollit të automjetit tip Golf që drejtonte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale. Automjeti u sekuestrua gjithashtu.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 35-vjeçarja u arrestua në flagrancë për veprën penale mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia bën me dije se kontrollet dhe operacionet kundër armëmbajtjes pa leje do të vijojnë në të gjithë territorin, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
