
Policia identifikon dhe ndalon një 42-vjeçar me precedentë penalë, i dyshuar për disa vjedhje të ndodhura më 31 janar
Katër automjete janë vjedhur brenda një dite në qytetin e Korçës, ndërsa policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar. Në pranga ka rënë shtetasi L. Sh., 42 vjeç, person me precedentë penalë të mëparshëm për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sipas hetimeve, falë këqyrjes së pamjeve filmike dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, policia dyshon se i arrestuari është autor i vjedhjeve në katër automjete, të kryera më 31 janar 2025 në zona të ndryshme të qytetit.
Gjatë kontrollit, në cilësinë e provës materiale, u gjetën dhe u sekuestruan një kasetofon, një pasaportë, një palë çelësa, një telefon celular i llojit iPhone 13 Pro Max, një shumë parash në lekë si edhe sende të tjera që dyshohet se janë përfituar nga vjedhjet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.
