Operacioni u zhvillua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me SPAK, ndërsa vijojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë
Një punonjës i Policisë së Durrësit është vënë në pranga, pasi dyshohet se ka kërkuar dhe marrë 60 mijë lekë nga një qytetar, në këmbim të zhbllokimit të automjetit të tij dhe shmangies së një mase administrative.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, realizoi arrestimin në flagrancë të efektivit G. H., me detyrë shërbim në trafikun urban dhe ndërurban në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Sipas të dhënave hetimore, efektivi ka shfrytëzuar funksionin e tij për të kërkuar shumën e parave ndaj drejtuesit të mjetit E. S., me premtimin se do ta ndihmonte për të marrë mjetin e bllokuar dhe për të shmangur gjobën. Shuma prej 60 mijë lekësh është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, AMP ka bërë me dije se hetimet po vijojnë në bashkëpunim me SPAK për të verifikuar nëse në këtë rast janë të përfshirë edhe punonjës të tjerë.
Çështja i është referuar për vijim të mëtejshëm të procedurave hetimore.
