“El Jefe” më në fund ka rënë në rrjetë. FBI-ja ka konfirmuar arrestimin e Ryan Wedding, 44 vjeç, ish-snowboardist olimpik kanadez dhe një nga figurat më të kërkuara të krimit të organizuar ndërkombëtar. Wedding ishte futur prej pak kohësh në listën famëkeqe të 10 personave më të kërkuar nga FBI-ja, me një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacion që do të çonte në kapjen e tij.
Sipas autoriteteve amerikane, në orët dhe ditët në vijim priten detaje të reja mbi operacionin që çoi në lokalizimin dhe arrestimin e tij, pas vitesh arratie mes Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Amerikës Latine.
Një jetë që mund të kishte qenë ndryshe
Historia e Ryan Wedding është një nga ato parabola dramatike ku sporti, fama dhe talenti i hershëm përplasen me botën e errët të krimit. I rritur në një familje të zakonshme, me arsim të mirë dhe një pasion të fortë për sportin, Wedding dukej i destinuar për një të ardhme krejt tjetër. Në vitin 2002, ai përfaqësoi Kanadanë në Lojërat Olimpike Dimërore të Salt Lake City, si pjesë e ekipit kombëtar të snowboard-it.
Por ajo përvojë olimpike mbeti vetëm një kapitull i shkurtër. Shumë shpejt, jeta e tij mori një kthesë të rrezikshme: nga pistat e borës, drejt rrjeteve të trafikut të drogës.
Rënia në krim dhe ngritja si bos
Krimi i tij i pare ndodh në vitin 2004, i ndjekur nga një tjetër arrestim disa vite më vonë, që përfundon me një dënim me burg për çështje të lidhura me drogën. Pikërisht burgu do të shndërrohej në “shkollën” e tij kriminale. Gjatë vuajtjes së dënimit, Wedding krijon lidhje kyçe, mes tyre një kolumbian që më vonë do t’i hapte dyert drejt botës së kartelëve të drogës.
Kur del i lirë në vitin 2011, ai shfrytëzon këto kontakte për të ndërtuar një rrjet të fuqishëm trafiku kokaine, duke importuar drogë përmes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, vend ku edhe u fsheh për një kohë të gjatë.
Profili i një bosi modern
Ryan Wedding përshkruhet nga hetuesit si një njeri me fizik masiv, arrogant, kërcënues dhe i gatshëm të përdorte dhunën për të ruajtur pushtetin. Me rritjen e influencës së tij, rritej edhe etja për të dominuar: ai lidhi aleanca me një ish-zyrtar të sigurisë meksikane, ndërtoi marrëdhënie të drejtpërdrejta me kartelët, dhe krijoi një jetë luksi, mes motoçikletave, orëve të shtrenjta dhe mjeteve ajrore. Në shërbim të tij kishte edhe një avokat, i cili sipas dosjeve hetimore, kishte për detyrë të zgjidhte çdo problem ligjor dhe të anashkalonte drejtësinë me çdo mjet të mundshëm.
Vrasje, frikë dhe sfidë e hapur ndaj FBI-së
Sipas New York Times, Wedding urdhëroi eliminimin e një dëshmitari kyç në Kolumbi, i identifikuar përmes informacioneve të blera me para, dhurata dhe favore. Për këtë operacion, ai dyshohet se përdori prostituta dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm, përfshirë edhe një vrasës me pagesë të njohur me nofkën “Kim Jong Un”.
Madje, për të gjurmuar viktimën, rrjeti i tij shfrytëzoi edhe një blog dedikuar krimit, ku u publikuan fotografi të objektivit, një detaj që tregon sesa i sofistikuar dhe njëkohësisht i pamëshirshëm ishte mekanizmi i tij.
Ky akt e çoi përplasjen me autoritetet në një nivel të ri. FBI-ja reagoi duke rritur shpërblimin, ndërsa publikoi një dosje të detajuar ku përmendeshin bashkëpunëtorët, skemat e pastrimit të parave në Europë dhe lidhjet e mundshme ndërkombëtare. Sipas hetimeve, paratë e drogës “pastroheshin” edhe përmes shitjeve të makinave luksoze, në koncesionarë plotësisht të ligjshëm.
Roli vendimtar i të penduarit
Një ndihmë vendimtare për hetuesit erdhi nga Andrew Clark, kanadez dhe njeri i besuar i Wedding. I arrestuar në Meksikë në vitin 2024 dhe më pas i ekstraduar në SHBA, Clark vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke zbuluar detaje të rëndësishme mbi strukturën dhe funksionimin e bandës.
Në ditët e fundit, autoritetet meksikane sekuestruan dhjetëra motoçikleta të lidhura me “parkun” personal të Wedding, ndërsa u publikua edhe një fotografi e tij e kohëve të fundit. Si një sfidë e fundit, sipas faqes ‘Toronto Crime Watch’, ai kishte postuar në Instagram imazhe simbolike: pranë një helikopteri, një statujë me medalje, një varëse me figurë snowboardisti, një orë luksi dhe motoçikleta, pasioni i tij i madh.
Fundi i një historie kriminale
Arrestimi i Ryan Wedding shënon fundin e një prej historive më paradoksale të krimit modern: një atlet olimpik që zgjodhi rrugën e errët të drogës, pushtetit dhe dhunës. Tani, “El Jefe” përballet me drejtësinë, ndërsa historia e tij mbetet një paralajmërim i fortë se sa larg mund të ‘rrëshqasë’ një jetë, kur ambicia dhe etja për pushtet mposhtin çdo vlerë tjetër.
