Xhuljano Hoxha, 30 vjeç, u kap nga Interpol Mançester në kuadër të operacionit “The Wanted” dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri
Një 30-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar, pas një operacioni të përbashkët mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve britanike.
Bëhet fjalë për Xhuljano Hoxhën, i cili ishte në kërkim nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), pasi akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e narkotikëve.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zhvillohen procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Emri i Hoxhës lidhet me megaoperacionin “Stuhia”, zhvilluar në nëntor të vitit 2022 në fshatin Drenovicë të Beratit, ku policia zbuloi dhe sekuestroi rreth 870 kilogramë lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa. Hetimet e asaj kohe zbuluan një rrjet të mirëorganizuar kultivimi në sera, me pjesëmarrje të disa personave.
Sipas vendimit të GJKKO të datës 22 prill 2025, Hoxha akuzohet për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Interpol Tirana ka konfirmuar se, pas arrestimit në Mançester, po vijojnë procedurat për ekstradimin e 30-vjeçarit në Shqipëri, ku do të përballet me drejtësinë për rolin e tij në grupin që menaxhonte kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në zonën e Beratit.
