
Një 32-vjeçar nga Tirana, i kërkuar ndërkombëtarisht për drejtimin e një grupi kriminal në Britani, ra në prangat e policisë pasi gjurmët e blerjeve të tij në internet e lidhën drejtpërdrejt me paketimin e kokainës së sekuestruar.
Një shqiptar 32-vjeçar, i konsideruar si drejtues i një rrjeti të gjerë trafiku droge në jug të Anglisë, është arrestuar në aeroportin “Valerio Catullo” nga autoritetet italiane, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga policia britanike. I riu nga Tirana, emri i të cilit nuk është bërë publik, dyshohet se kishte një rol kyç në furnizimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e kokainës në qytetet bregdetare të Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas mediave britanike, grupi kriminal që ai drejtonte ishte përfshirë në trafikun e mbi 28 kilogramëve kokainë dhe mbajtjen e afërsisht 175 mijë paundëve në para të thata, ekuivalente me rreth 200 mijë euro. Hetimet e nisura nga policia britanike në bashkëpunim me Europol çuan në zbulimin e një lidhjeje të pazakontë: rrjeti ishte gjurmuar përmes një sërë blerjesh online.
Gjatë periudhës qershor–dhjetor 2024, i arrestuari kishte blerë në platformën “eBay” materiale të përdorura për paketimin e drogës, sasi të mëdha acetoni si dhe pulla druri me simbole, numra dhe shkronja. Hetuesit konstatuan se këto pulla përputheshin në mënyrë identike me shenjat e gjetura në paketat e kokainës të sekuestruara gjatë operacioneve në territorin britanik.
Policia britanike vlerëson se 32-vjeçari ishte përgjegjës për menaxhimin e logjistikës së grupit, përfshirë përzgjedhjen e shpërndarësve dhe transportuesve të drogës. Ai kontrollonte edhe mënyrën e dërgimit të pakove për të shmangur zbulimin nga autoritetet.
Arrestimi i tij në Itali konsiderohet një ndër goditjet më të mëdha të muajve të fundit ndaj rrjeteve shqiptare të përfshira në trafikun e kokainës në Evropë. Pas ndalimit, 32-vjeçari pritet të ekstradohet në Britani për t’u përballur me akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës, pastrimit të parave dhe organizimit kriminal.
Burime të hetimit konfirmojnë se operacioni vijon, ndërsa autoritetet britanike janë në kërkim të disa bashkëpunëtorëve të tjerë që dyshohet se ndodhen ende në territorin anglez.
