
34-vjeçari u ndalua gjatë operacionit Moment, policia i sekuestroi armën me krehër dhe fishekë
Një 34-vjeçar nga Kamza u arrestua pasi u kap duke lëvizur me armë zjarri në automjet. Odison Zguri u ndalua në fshatin Kasallë, ku shërbimet e Komisariatit Nr. 5, pas informacioneve operative, kontrolluan mjetin tip Volkswagen me të cilin ai po udhëtonte.
Gjatë kontrollit u gjet një pistoletë me krehër dhe fishekë, të cilën Zguri dyshohet se e mbante pa leje. Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa 34-vjeçari u shoqërua menjëherë për procedura të mëtejshme.
Operacioni i koduar Moment u finalizua si pjesë e kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e armëmbajtjes pa leje në zonën e Kamzës. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e hetimeve.
