
I dënuar nga GJKKO me mbi 6 vite burg për kultivim dhe trafik droge, Armand Dervishi kapet pas operacionit “Pjesëtari”
Policia e Krujës ka vënë në pranga 35-vjeçarin Armand Dervishi, i shpallur në kërkim prej vitit 2024, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me 6 vite e 8 muaj burg për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e narkotikëve. Arrestimi u krye falë informacioneve operative dhe u finalizua në kuadër të operacionit të koduar “Pjesëtari”.
Sipas njoftimit zyrtar, Dervishi rezulton i dënuar për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim, ndërsa i njëjti vit, Gjykata e Krujës e dënoi edhe me 9 muaj burg për ndërtim të paligjshëm. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Në fund, autoritetet konfirmojnë se kontrolli ndaj personave të shpallur në kërkim vijon në gjithë territorin me fokus goditjen e grupeve kriminale dhe veprimtarive të tyre.
