Policia e kryeqytetit ndaloi në flagrancë një shtetas që qarkullonte me një automjet të vjedhur në zonën e Yrshekut; mjeti u sekuestrua ndërsa autori u la në pranga.
Një 35-vjeçar ka përfunduar në pranga në Tiranë pasi u kap duke drejtuar një automjet që e kishte vjedhur pak orë më parë. Ngjarja ndodhi në zonën e Yrshekut, ku pronari i mjetit kishte njoftuar Policinë për grabitjen e automjetit në oborrin e banesës së tij.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, forcat e Komisariatit të Policisë Nr. 6 organizuan një operacion të shpejtë për kapjen e autorit. Brenda pak orësh, efektivët lokalizuan dhe ndaluan në Rrugën e Qelqit personin e dyshuar, i cili po qarkullonte me makinën e vjedhur.
I arrestuari është identifikuar si D. K., 35 vjeç, banues në Tiranë. Ai u ndalua në momentin që po drejtonte automjetin tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetasit M. E. Sipas hetimeve paraprake, mjeti ishte marrë në mënyrë të paligjshme nga oborri i shtëpisë së pronarit dhe po përdorej për qëllime personale.
Automjeti i vjedhur është sekuestruar si provë materiale, ndërsa ndaj autorit të dyshuar ka nisur procedimi penal për veprën e “Vjedhjes së pasurisë”.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.
