Operacioni u zhvillua në ambientet e Prokurorisë Themelore në Prizren, nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me Policinë
Një ngjarje e pazakontë ka tronditur sistemin e drejtësisë në Kosovë, pasi prokurori Beqë Shala, pjesë e Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar sot në vendin e punës nën dyshimin për marrje ryshfeti.
Operacioni u zhvillua me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe u realizua nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me kryeprokurorin e Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se arrestimi është kryer brenda zyrës së tij, në prani të kolegëve dhe hetuesve. Sipas të dhënave paraprake, Shala dyshohet për veprën penale të “marrjes së ryshfetit”, megjithatë ende nuk është bërë e ditur se me cilën çështje konkrete lidhet kjo akuzë.
Prokuroria ka njoftuar se hetimet po zhvillohen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, ndërsa pritet që në ditët në vijim të merren në pyetje persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rastin.
Ky arrestim shënon një tjetër goditje ndaj korrupsionit brenda institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe vjen në kuadër të përpjekjeve për të rritur llogaridhënien e zyrtarëve publikë dhe integritetin e sistemit gjyqësor.
