
48-vjeçari është në kërkim pasi në shtëpinë e tij u gjetën armë të shumta dhe dyshohet se ka lidhje me ekzekutimin e Gilmando Danit
Policia ka zbuluar një arsenal të plotë armësh gjatë një operacioni në Fushë-Krujë, duke vënë në shënjestër një 48-vjeçar, tashmë të shpallur në kërkim. Hetuesit dyshojnë se armët e gjetura lidhen drejtpërdrejt me atentatin mafioz të ndodhur pak ditë më parë në Rinas, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë agjenti i AMP, Muçi Sheqeri.
Sipas burimeve policore, personi që banonte në shtëpinë ku u gjet arsenali konsiderohet një prej individëve të dyshuar në ekzekutimin e Danit. Banesa e tij ishte e pajisur me armë të ndryshme, çka ka shtuar dyshimet se mund të jetë përdorur si pikë logjistike për krimin e organizuar.
Ky individ nuk është i panjohur për drejtësinë: ai ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2014, pasi në banesën e tij u gjetën armë të shumta, ndërsa atë kohë dyshohej për konflikte të vazhdueshme me drejtues të një fabrike çimentoje. Në të njëjtën periudhë ai u përmend edhe në hetime lidhur me dërgimin e personave drejt Sirisë.
Emri i tij është shfaqur edhe në një tjetër çështje të rëndë, atë të vrasjes së shtetasit libanez Anuar Rizik pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë. Sipas dosjes së asaj kohe, krimi kishte lidhje me presion ndaj drejtuesve të fabrikës së çimentos për të pezulluar punimet dhe për të nënshkruar një marrëveshje kompensimi.
Policia ka vijuar kontrollet në zona të tjera të Fushë-Krujës, ndërsa hetimet synojnë të zbardhin rolin e plotë të të dyshuarit dhe të identifikojnë bashkëpunëtorët e tjerë që mund të kenë marrë pjesë në atentatin e Rinasit. Autoritetet e konsiderojnë ngjarjen si pjesë të një zinxhiri të strukturuar kriminal, ku armët dhe logjistika kanë luajtur rol kyç.
