
Presidenti amerikan pranon përdorimin e një arme të fshehtë gjatë operacionit për kapjen e Nicolás Maduro, por refuzon të japë detaje mbi teknologjinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka konfirmuar publikisht se forcat speciale amerikane kanë përdorur një armë sekrete zanore gjatë operacionit për kapjen e udhëheqësit venezuelian Nicolás Maduro, duke ngritur shqetësime dhe pikëpyetje serioze mbi kapacitetet ushtarake të SHBA-së.
Deklarata u bë gjatë një interviste për një media amerikane, ku Tramp u shpreh se bëhet fjalë për një teknologji që vetëm Shtetet e Bashkuara e posedojnë dhe se është më mirë që detajet të mbeten të klasifikuara. Ai shtoi se qytetarët amerikanë duhet të jenë të vetëdijshëm për fuqinë e arsenalit ushtarak të vendit.
Sipas burimeve të cituara nga mediat ndërkombëtare, arma zanore dyshohet se ka shkaktuar gjendje të rënduar fizike te disa pjesëtarë të forcave që ruanin Maduro, gjatë operacionit të zhvilluar në kryeqytetin venezuelian, Caracas. Dëshmitarë të paidentifikuar kanë përshkruar përdorimin e një vale zanore shumë të fortë, e cila ka çorientuar dhe paaftësuar personelin në zonë.
Mediat amerikane spekulojnë se arma e përdorur mund të jetë një version i avancuar i teknologjisë së njohur si LRAD, një pajisje akustike me rreze të përqendruar, e përdorur më herët për kontroll turmash dhe operacione ushtarake. Megjithatë, vetë Tramp nuk e ka konfirmuar këtë, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për diçka edhe më të sofistikuar.
Operacioni për kapjen e Maduro u zhvillua gjatë orëve të para të mëngjesit dhe përfshiu njësi elitare të ushtrisë amerikane, të cilat e transferuan atë drejt Shteteve të Bashkuara, ku ai pritet të përballet me akuza të rënda penale.
Deklaratat e Tramp për armë që askush tjetër nuk i njeh kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin ndërkombëtar, duke rihapur debatin mbi përdorimin e teknologjive sekrete ushtarake dhe pasojat e tyre në konfliktet globale.
