
Gazetari i dorëzon Prokurorisë së Posaçme diktofonin me komunikimet e zinxhirit komandues të Gardës, ndërsa SPAK heton vrasjen e katër protestuesve në demonstratën e vitit 2011
Gazetari Artan Hoxha është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme, ku ka dorëzuar audiopërgjimin origjinal që lidhet me ngjarjet e 21 janarit 2011. Në prononcimin për mediat në hyrje të SPAK, Hoxha bëri të ditur se ka depozituar diktofonin nga i cili janë regjistruar komunikimet e zinxhirit komandues të Gardës gjatë demonstratës së asaj dite.
Prej datës 15 korrik 2024, dosja hetimore për vrasjen e katër protestuesve gjatë protestës së opozitës ndodhet në duart e prokurorëve të SPAK. Hetimet u rihapën pas vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila e cilësoi 21 janarin si krim shtetëror, duke i hapur rrugë procedimit penal pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.
SPAK ka regjistruar procedimin penal për disa vepra të rënda, përfshirë vrasjen në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorimin e detyrës, si dhe kryerjen e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sipas burimeve, audio-përgjimi i dorëzuar nga gazetari pritet t’i nënshtrohet verifikimeve për autenticitetin, përpara se SPAK të vendosë për hapat e mëtejshëm hetimorë. Materiali konsiderohet kyç për zbardhjen e përgjegjësive penale në një nga ngjarjet më të rënda të dy dekadave të fundit në vend.
Më herët, Artan Hoxha ka deklaruar publikisht se në regjistrim dëgjohet një urdhër i drejtpërdrejtë për hapjen e zjarrit, duke theksuar se për vetëm pak sekonda u vranë katër protestues. Sipas tij, komunikimet janë bërë përmes radiove të Gardës dhe përfshijnë urdhra të dhënë nga zinxhiri komandues, çka mund të hedhë dritë të re mbi përgjegjësitë institucionale për ngjarjen e 21 janarit 2011.
Hetimet nga SPAK vijojnë, ndërsa dorëzimi i audiopërgjimit origjinal pritet të ketë peshë të rëndësishme në ecurinë e dosjes.
