

Sopranoja që la gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare i bashkohet përjetësisë, duke lënë pas një trashëgimi muzikore të çmuar.
Një nga zërat më të veçantë të muzikës klasike shqiptare, sopranoja Luiza Çako (Papa), ka mbyllur sytë përgjithmonë, duke lënë pas një boshllëk të madh në artin shqiptar.
E njohur për interpretimet e saj plot ndjeshmëri dhe profesionalizëm, Luiza Çako ndërtoi një karrierë të pasur në skenën operistike, ku spikati si një nga figurat më të respektuara të muzikës klasike. Ajo ka interpretuar role të rëndësishme në veprat e repertorit shqiptar dhe ndërkombëtar, duke i dhënë kulturës sonë një trashëgimi të vyer artistike.
Luiza Çako ishte bashkëshortja e legjendës së operës shqiptare, Gaqo Çako, dhe nëna e kantautorit të njohur Pirro Çako, i cili ka vijuar rrugën muzikore të prindërve të tij, duke u bërë një emër i dashur për publikun shqiptar.
Ndarja e saj nga jeta përbën një humbje të madhe jo vetëm për familjen e saj të njohur artistësh, por edhe për artdashësit shqiptarë që e kanë duartrokitur për dekada.