Një histori prekëse besnikërie dhe vetmie vjen nga Ottava, një fshat pranë qytetit Sassari në Itali, shkruan La Stampa.it.
Një burrë 74-vjeçar u gjet i pajetë brenda një makine që e përdorte si strehë. Ai kishte ndërruar jetë prej disa ditësh.
Pranë tij, i shtrirë mbi trupin e tij, ishte qeni i tij i moshuar, Napoleone.
Qeni, rreth 10 vjeç, nuk ishte larguar asnjë moment. Për ditë të tëra kishte qëndruar aty, pa ushqim dhe pa ujë, duke ruajtur njeriun e tij deri në fund.
Zbulimi u bë nga Policia e Shtetit pas një sinjalizimi nga banorët. Në vendngjarje mbërritën edhe oficerët e mbrojtjes së kafshëve.
Pas kontrolleve, Napoleone u shpëtua dhe u dërgua në strehën e kafshëve “Qua la Zampa” në Sassari. Qeni ishte i mikroçipuar dhe ndodhej në gjendje të rëndë fizike dhe emocionale.
Vullnetarët e qendrës treguan se Napoleone është ende i mbyllur në vetvete, nuk reagon, nuk ha dhe nuk pi
“Na theu zemrën. Duket i humbur, shikon në boshllëk. Shpresojmë që me kohë dhe dashuri të rifitojë besimin dhe dëshirën për të jetuar”, theksuan ata.
Historia e Napoleonit është dëshmi e fortë e lidhjes së pathyeshme mes njeriut dhe kafshës, një besnikëri që nuk u shua as përballë vdekjes.
