
Dy vëllezërit Gjikondaj dhe kompania “ASI-2A CO” nën lupën e akuzave për përdorim faturash të pavlefshme, ndërsa tenderi i demolimit të pallatit 11-katësh u kalon në dorë mes skualifikimeve masive dhe mungesë reagimi nga institucionet.
Rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 ka prodhuar jo vetëm shpresa për banorët e mbetur pa strehë, por edhe dyshime për abuzime të mëdha në tendera publikë. Rasti më i fundit vjen nga Durrësi, ku tenderi me nr. REF-61906-09-18-2025, me objekt rindërtimin e godinës nr. 32 në rrugën Teodor Rupi, është fituar nga bashkimi i operatorëve “ASI-2A CO” dhe “Zdrava shpk”, me një vlerë prej rreth 5 milionë euro. Tenderi parashikon shembjen e një pallati 11-katësh dhe ngritjen e një ndërtese të re në një zonë të populluar, çka e bën procesin veçanërisht delikat.
Kompania “ASI-2A CO” me pronarë dy vëllezër nga Vlora dhe me aktivitet kryesisht në Fier e Durrës, dyshohet se ka përdorur dokumentacion të falsifikuar në procesin e aplikimit. Në dosje rezultojnë fatura tatimore që nuk gjenden të regjistruara në sistem, mes tyre edhe fatura me numër serie 95607252, për të cilën ligji parashikon përjashtim nga tenderat deri në 5 vite në rast falsifikimi. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur.
Kompania ka fituar deri më sot 181 tendera në rang vendi, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e selektimit dhe verifikimit të dokumenteve. Një tjetër debat hapet edhe rreth kualifikimit të punëve të mëparshme, pasi ndërhyrja në thertoren e Nikos Semanjakut është përdorur si punë referencë për demolim pallatesh, edhe pse objektet nuk lidhen teknikisht mes tyre. Gjithashtu konstatohet një lidhje e vazhdueshme me të njëjtin kryetar komisioni të vlerësimit të ofertave, Ardi Iljazi, i cili ka firmosur edhe tre projekte të tjera të kompanisë në Durrës.
Në mungesë përgjigjeje nga “ASI-2A CO”, mbeten disa pyetje të hapura që kërkojnë reagim institucional:
A janë përdorur dokumente të falsifikuara në këtë tender dhe në sa raste të tjera?
Si u fitua një tender 5 milionë euro me fatura që nuk rezultojnë në sistem?
Si u konsiderua punë e ngjashme demolimi i një pallati përmes një reference të thertores?
Cili është raporti i kompanisë me kryetarin e komisionit Ardi Iljazi?
Sa nga 181 tenderat mund të jenë marrë me dokumente të pavlefshme?
Ndërsa drejtësia merret me skandale periferike, rrjedha e tenderave milionash vijon me dyer të hapura. Në Durrës, historia e 5 milionë eurove të demolimit nuk mbyllet me kaq. Dosja mbetet e gjallë, ndërsa hetimi mediatik po sapo ka nisur/priza.al
