
Juristi zëvendëson Holta Zaçajn, ndërsa institucioni përgatitet të zgjedhë kryetarin e ri
Asim Vokshi ka marrë zyrtarisht detyrën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pasi u betua para Presidentit të Republikës Bajram Begaj. Ai do të zëvendësojë gjyqtaren Holta Zaçaj, mandati i së cilës ka përfunduar që prej muajit prill.
Emërimi i Vokshit erdhi pas procesit të zhvilluar në Gjykatën e Lartë, e cila e shpalli atë fitues për vendin vakant të Zaçajt. Megjithatë, rezultati u kundërshtua nga kandidatja Naureda Llagami, e cila pretendoi se një votë e shpallur e pavlefshme i takonte asaj dhe e çonte automatikisht në pozicionin e gjyqtares kushtetuese. Çështja u ankua si në Gjykatën Administrative ashtu edhe në Kushtetuese, por nuk ndryshoi renditjen përfundimtare.
Me largimin e Zaçajt, Gjykata Kushtetuese duhet të zgjedhë edhe kryetarin e ri të saj. Deri në përzgjedhjen e drejtuesit të ri, institucioni drejtohet përkohësisht nga nënkryetarja Marsida Xhaferllari.
