
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur nga Barcelona. Personi që e shoqëronte mbeti në gjendje kritike
Një atentat me armë zjarri ka ndodhur pasditen e së martës në zonën pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur rëndë. Viktima dyshohet të jetë Gilmando Dani, i njohur si i afërt me Emiljano Shullazin.
Burime nga terreni bëjnë me dije se Dani kishte mbërritur sot nga Barcelona dhe po udhëtonte me Muçi Shaljanin, i cili ishte në drejtimin e automjetit të blinduar. Shaljani është plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike në spital. Dyshohet se ai është punonjës në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, megjithëse konfirmimi zyrtar ende mungon.
Sipas hetimeve paraprake, autorët kanë ndjekur mjetin për disa kilometra përpara se të hapnin zjarr me breshëri, vetëm pak qindra metra pas largimit nga aeroporti. Automjeti i përdorur në atentat u gjet më vonë i djegur në zonën e Halilit në Krujë, çka përforcon dyshimet se ngjarja është organizuar paraprakisht nga një grup profesionistësh.
Ngjarja vlerësohet si pjesë e përplasjes së grupeve kriminale, pasi Dani dhe personat me të cilët ai ka qenë i lidhur janë përfolur edhe më parë në konflikte të përgjakshme. Policia po mbledh pamjet e kamerave të sigurisë dhe ka ngritur postblloqe në disa akse, por deri tani nuk ka të dhëna për ndalime.
Hetimet vijojnë.
