
I arrestuar pak javë më parë nga SPAK, Vullnet Muça u shoqërua me forcë në seancë dhe mohoi çdo lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ku mbeti i plagosur vëllai i tij, Astrit Muça.
Në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dëshmuar Vullnet Muça, vëllai i njohur i “Rrumit të Shijakut”, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim si pjesë e një hetimi të SPAK.
Muça, i cili është shoqëruar me forcë pasi kishte refuzuar disa herë paraqitjen në gjykatë, deklaroi se nuk njeh asnjë nga personat e përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj në vitin 2019. Ai tha se në atë periudhë jetonte në Sukth dhe ka marrë vesh për ngjarjen pasi pa raportimet në televizion.
“Sapo e pashë lajmin, shkova në spital. Mësova se vëllai im ishte plagosur në makinë me Arjan Ndojn dhe Andi Malokun. Nuk di asgjë për autorët. Vëllai më ka thënë vetëm që e kanë qëlluar nga pas,” dëshmoi Muça.
Ai shtoi se vëllai i tij është sot në gjendje invaliditeti për shkak të plagëve që mori në atentat. Muça përmendi se e kishte takuar Arjan Ndojn disa herë përpara ngjarjes dhe se pas atentatit, gjithçka mbeti për t’ia lënë kohës për t’u zbardhur.
Në dëshminë e tij, ai mohoi çdo njohje apo konflikt me emrat e tjerë të përmendur në dosje, përfshirë Aldo dhe Astrit Avdyli, Plaurent Çelën, Bashkim Haxhijën, dhe Lulzim Berishën, duke theksuar se jemi goditur pa asnjë lidhje dhe jemi bërë viktima të një ngatërrese që dihet në Durrës.
Dëshmia e Vullnet Muçës vjen në kuadër të procesit gjyqësor për atentatin ndaj Arjan Ndojit, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagosën Ndoj e Astrit Muça. Procesi vijon në GJKKO me dëshmitë e reja që pritet të ndriçojnë rolin e grupeve të organizuara në atentatin që tronditi Durrësin në fund të vitit 2019.