
Shtetasi me inicialet B.Xh, banor i zonës ku u dogj makina e autorëve, u mor në pyetje nga policia por nuk u gjetën prova që ta lidhin me krimin.
Një zhvillim i ri ka ardhur në hetimet për atentatin e 11 nëntorit në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe efektivi i AMP-së Muçi Shaljani. Policia shoqëroi mbrëmjen e djeshme një 35-vjeçar, i cili dyshohej se mund të kishte dijeni për ngjarjen, por pas marrjes në pyetje ai është lënë i lirë.
Burime policore bëjnë me dije se i shoqëruari, me inicialet B.Xh, banor i fshatit Halil në Fushë-Krujë, jeton pranë vendit ku autorët braktisën dhe dogjën automjetin “Toyota” me targa greke. Megjithatë, në deklarimet e dhëna, ai ka mohuar të ketë lidhje me atentatin apo të ketë parë lëvizje të dyshimta pranë banesës së tij. Ai ka sqaruar se në momentet e ngjarjes nuk ndodhej në shtëpi.
Pavarësisht lirimit, 35-vjeçari ka qenë më herët i dënuar për vjedhje me dhunë, çka ka shtuar interesin e hetuesve për ta pyetur, por deri më tani nuk ka prova që e lidhin me atentatin.
Edhe pse ka kaluar gati një muaj nga ngjarja, autorët dhe porositësit mbeten ende të paidentifikuar. Policia vijon hetimet intensive dhe po merr në pyetje persona që mund të kenë dijeni, me shpresën se gjurmët e reja do çojnë në zbardhjen e plotë të ekzekutimit.
